Lansimi i Projektit "Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim - KEEN"


Lansimi i Projektit "Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim - KEEN"

Sot u mbajt ngjarja lansuese e Projektit “Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim - KEEN”. Në ngjarjen inauguruese të Projektit KEEN ishin të pranishëm organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale si dhe përfaqësues nga BE.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, së bashku me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe Christof Stock nga Zyra e BE-së në Kosovë, shprehën përkrahjen për Projektin KEEN duke u zotuar për bashkëpunim të ngushtë përgjatë zbatimit të projektit.

Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim - KEEN është projekt i financuar nga BE-ja, ku koalicioni strategjik i katër organizatave të shoqërisë civile të cilat angazhohen në fushën e arsimit, punësimit dhe politikave sociale synon:
- Përmirësimin e punësueshmërisë së grupeve në nevojë në Kosovë dhe përfshirjen e tyre në fushën e arsimit dhe tregut të punës;
- Promovimin e partneritetit dhe dialogut ndërmjet shoqërisë civile, qeverisë dhe sektorit të biznesit;
- Ngritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për pjesëmarrje në zhvillimin e politikave, në vendimmarrje dhe në monitorimin e zbatimit të tyre;
- Fuqizimin e rolit të shoqërisë civile në zhvillimin dhe monitorimin e zbatimit të politikave kryesore në nivel kombëtar dhe lokal në fushën e arsimit dhe punësimit;
- Ndërlidhjen më të mirë ndërmjet programeve të arsimit dhe aftësimit me kërkesat e tregut të punës.
KEEN zbatohet nga Qendra per Arsim e Kosoves - KEC në bashkëpunim me Balkan Sunflowers, APPK - Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit Kosovë, Akademia e Trajnimeve dhe Asistencës Teknike (ATTA) dhe SPARK.