KEEN – Kosovo Education and Employment Network Fros group, web faqe, web dizajn


Shtyllat e Projektit

FORCIMI I KEEN

Në kuadër të këtij komponenti do të krijohet rrjeti joformal i organizatave partnere të projektit KEEN, “Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim” me qëllim të përmirësimit të punësimit të grupeve në nevojë në Kosovë dhe përfshirjen e tyre në sektorin e arsimit dhe tregut të punës. Për këtë synim do të zhvillohen aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për pjesëmarrje në zhvillimin e politikave dhe monitorimin e zbatimit të tyre në nivel qendror dhe lokal. Ngritja e kapaciteteve do të përfshijë programe të trajnimit, këshilla të ekspertëve, të mësuarit nga bashkëpunëtorët, shkëmbim të përvojave dhe të tjera.

PJESËMARRJA NË ZHVILLIM TË POLITIKAVE

KEEN në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, synon të kontribuojë në zhvillimin e politikave në nivel qendror dhe lokal në fushën e arsimit dhe punësimit, duke i dhënë rëndësi të veçantë grupeve në nevojë. Për të mbështetur dhe lehtësuar dialogun me politikëbërësit, KEEN do të themelojë grupe të ekspertëve për hartimin e studimeve, nxitjen e debateve dhe avokimin për çështje me interes në fushën e arsimit dhe punësimit.

KEEN do të mbështesë 15 komuna të Kosovës në hartimin e planeve lokale të veprimit, për zbatimin e politikave në fushën e arsimit dhe punësimit. Në këtë mënyrë, organizatat e shoqërisë civile do të angazhohen së bashku me institucionet për një dialog kuptimplotë me synim përmirësimin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin e zhvillimit të politikave.

MONITORIMI I ZBATIMIT TË POLITIKAVE

KEEN do të monitorojë zbatimin e të paktën tre politikave në nivel qendror në fushën e arsimit dhe punësimit, si dhe të paktën 15 planeve lokale të veprimit për zbatimin e politikave. Për këtë synim do të krijohen ekipe të monitorimit të shoqërisë civile për monitorimin e zbatimit të politikave në nivel qendror dhe të planeve lokale të veprimit. Këto ekipe do të angazhohen në mbledhjen e të dhënave dhe hartimin e raporteve monitoruese. Në këtë mënyrë, do të mbështeten 9 raporte të monitorimit të zbatimit të politikave në nivel qendror dhe 30 raporteve të monitorimit të zbatimit të planeve lokale të veprimit. Monitorimi i zbatimit të politikave për arsim dhe punësim do të ofroj një mundësi të vlefshme për shoqërinë civile për të nxitur ndryshime domethënëse për grupet në nevojë.

Avokimi i bazuar në analizë në nivelin qendror dhe lokal është kyç për të garantuar zbatimin e praktikave të suksesshme në sektorin e arsimit dhe punësimit. KEEN do të mbështesë të paktën 10 iniciativa avokuese që kanë për qëllim përmirësimin e pozitës së grupeve në nevojë në arsimimin dhe punësimin e tyre.

NDËRLIDHJA E ARSIMIT DHE AFTËSIMIT ME TREGUN E PUNËS

KEEN synon të nxisë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) në përpjekjet për përshtatjen e arsimit dhe aftësimit me kërkesat e tregut të punës, duke vënë theks në interesat e grupeve në nevojë. KEEN do të realizoj studimin për ndërlidhjen e arsimit dhe aftësimit me kërkesat e tregut të punës duke përmirësuar lidhjet ekzistuese ndërmjet arsimit dhe aftësimit me kërkesat e tregut të punës dhe krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet tregut të punës dhe sektorit të arsimit dhe aftësimit profesional. Në këtë mënyrë, KEEN do të mbështesë 10 institucione të arsimit dhe aftësimit profesional në ndërtimin e bashkëpunimit me biznese.

Duke mbështetur pjesëmarrjen e komunitetit të biznesit në zhvillimin e politikave, KEEN do të kontribuojë në përshtatjen e aftësive me kërkesat e tregut të punës. Në anën tjetër, duke mbështetur shkollat ​profesionale dhe institucionet e aftësimit profesional në ndërtimin e bashkëpunimit me biznese, KEEN do të kontribuojë në përmirësimin e përmbajtjeve kurrikulare, që do të shërbejnë si shembuj të suksesshëm për shkollat e tjera.

PARTNERËT IMPLEMENTUES TË PROJEKTIT KEEN

Projekti “Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim – KEEN” financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në bashkëpunim me Balkan Sunflowers Kosova (BSFK), Agjencionin e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (APPK), Akademinë e Trajnimeve dhe Asistencës Teknike (ATTA) dhe Stichting SPARK. Ndërsa, partnerë të tjerë kyç institucional të projektit janë: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB).